AAA

SU-PRO-MEDIA | 02.04.2018 13:30 > 04.04 10:52

Glorifikimi medial i autoriteteve lokale në llogari të qytetarëve


Kur thirrni me telefon portalin “Južni Banat”, automati ju përgjigjet se prapaguesi nuk mund t’i pranojë thirrjet. Kjo nuk do të ishte e çuditshme po të mos ishte fjala për fituesin absolut në konkurset për bashkëfinancimin e projekteve me përmbajtje mediale në gjashtë komuna dhe dy qytete të Banatit Jugor. Një nga autorët e portalit „Pančevo Si Ti”, Nenad Živković, thekson se sajti “Južni Banat” në ato konkurse fitoi rreth 20 milionë dinarë dhe se themeluesi i saj është firma nga Pançeva “Banat Brifing”.

“Kjo është shumë keq, meqë ‘Banat Brifing’ është një firmë fantome për të cilën nuk ka të dhëna, pos atyre që janë paraqitur në regjistrin e Agjencisë së Bizneseve. Askush nga gazetarët nuk i ka njohur, e as që di se kush janë redaktorët dhe pronarët, gazetarët e saj as që paraqiten në ngarje, ndërkohë që zyret në rrugën e ‘Njegoshit’ janë gjithmonë të mbyllura”, thekson Nenad Živković.

Portali “Južni Banat” është shembulli drastik, por jo edhe i vetëm i keqpërdorimit serioz të shpenzimit të parave për bashkëfinancimin e projekteve. Bashkëfinancimi i mediave përmes konkurseve publike filloi të zbatohet më 2015, me synim të zvogëlonte ndikimin e shtetit mbi mediat dhe të mundësonte raportimin me interes publik. Por, praktika tregon se puna e komisioneve që vendosin rreth shpërndarjes së parave nuk është transparente dhe se po vendoset një kontroll edhe më i fuqishëm mbi mediat.

Tanja Maksić nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) thotë se kanë analizuar vitin e parë të financimit të përmbajtjeve mediale dhe kanë vërtetuar se konkursi i Ministrisë së Kulturës ka kaluar pa parregullsi të mëdha, ndërkohë që qeveritë lokale kanë mbështetur përmbajtje beletristike kryesisht të mediave të dëgjueshme të qendrave të ndryshme të fuqisë.

“Për disa media, sidomos për ato që janë të pavarura dhe që kanë një qëndrim paksa më kritik ndaj qeverive, si asaj republikane, ashtu edhe atyre lokale, ky në fakt është një model për t’i disciplinuar mediat, respektivisht për t’ju shkurtuar mjetet financiare dhe për t’i detyruar që të luftojnë për mbijetesë të thjeshtë. Për mediat që janë lojale, që duan të bëhen pjesë e ndonjë lloj propagande, që nuk pyesin shumë, për ta ky është model i mirë i mbijetesës dhe mbushjes së buxhetit”, thotë Tanja Maksić.

Svetozar Raković nga Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë (NUNS) vlerëson se bashkëfinancimi i projekteve mediale në praktikë nuk funksionon.

“Është shndërruar, ne këtë e themi me fjalor të thjeshtë, në një ndërmarrje të organizuar kriminale. Ka shumë arsye pse e themi këtë. Nga fillimi i vitit 2015, kur me ligj është futur bashkëfinancimi i mediave, e deri më sot, situata është përherë e më e keqe, ka shumë më tepër keqpërdorime, keqpërdorime evidente që tashmë duhet të jenë punë për hetime serioze,” thotë Svetozar Raković.
Sipas të dhënave të NUNS-it për vitin 2017 u shpallën gjithsej 147 konkurse publike për informim, nga të cilat u ndanë afër 11 milionë euro. Ministria e Kulturës dhe Informimit ndau 255 milionë dinarë, ndërkohë që administratat lokale të qeverisjes ndanë afër 972 milionë dinarë. Më së shumti parregullsi u vërejtën në qytetet më të mëdha. Nga 74 milionë të dedikuara vjet për bashkëfinancimin e informimit prej interesit publik në Beograd, televizoni privat Studio B dhe firmat e lidhura me të morën 23 milionë. Shuma milionëshe fituan edhe kompanitë që u krijuan në kohën e shpalljes së konkurseve – “Zofin dhe Folin”, që ndjellë dyshimin se me paratë e qytetarëve po “rehatohen” interesat private, e jo publike. Shembullin e qyteteve të mëdha e kanë përcjellur dhe qytetet dhe komunat më të vogla.

Qyteti më parë i përmendur i Pançevës është interesant edhe nga fakti se me sukses “anashkaloi” dispozitën ligjore që përcakton se një media nuk mund të merr në emër të sufinancimit më shumë se 23 milionë dinarë. Meqë televizioni i privatizuar i Pançevës iu afrua kësaj shume, sipas fjalëve të Nenad Živković-it, paratë u janë ndarë agjencive sapo të formuara.

“Brenda 10 ditësh janë themeluar tri agjenci në Brus, Caçak dhe Beograd, të cilat në ciklin vjeshtor të konkursit fituan edhe rreth 15,5 milionë për emisionet që duhet t’i realizonin në TV Pançevo. Llogaritë e këtyre agjencive shfrytëzohen për qarkullimin e parave, e mbetet të vërtetohet se sa prej atyre parave vërtet transferohen tek TV Pançevo, dhe sa i mbetet agjencisë si provizion për shërbimin”, ka thënë Nenad Živković, autor i portalit “Pančevo Si Ti”.

Drejtoresha e TV Forum, Mileva Malešić, shpjegon se në Prijepole më së shumti para, nga gati dy milionë dinarë, kanë marrë televizionet që nuk janë nga ai qytet.

“Konkursi është shpallur për pesë milionë dinarë, e mediave të Prijepoles u janë ndarë vetëm 15 për qind të mjeteve. Më së shumti para kanë përfituar dy televizionet nga Priboji dhe Novi Pazari. Televizoni nga Novi Pazari madje nuk e ka as lejen e Rregullatorit të Transmetuesve Elektronik për emetimin e programit në komunën e Prijepoles. Gjatë analizës së projekteve u evidentuan një varg parregullsish dhe shfrytëzim mjetesh me destinim të gabuar”, thotë Mileva Malešić.

 Nuk ishte as lehtë as thjeshtë që opinioni i Prijepoles të njihej me parregullsitë, qeveria lokale me shumë rezistencë në fund i lejoi gazetarit të Televizionit Forum vetëm shikimin e dokumentacionit të konkursit, por jo edhe kopjimin apo fotografimin e tij. Kështu u zbulua se interesi publik i qytetarëve të Prijepoles, sipas vendimit të komisionit, paskësh qenë blerja e pajimeve për televizionin e Sanxhakut dhe financimi i rrogave të të punësuarve në televizionin në Priboj.

“Ne kemi konkurruar me dy projekte, për televizion dhe portal. Këto kishin të bënin me përmbajtje mediale kushtuar zhvillimit të bujqësisë dhe turizmit, dhe zgjidhjes së problemit më të rëndësishëm ekologjik, të deponisë në bregun e lumit Lim, që është një bombë ekologjike jo vetëm për Prijepolen, por edhe për të gjitha qytetet përgjatë rrjedhës së lumit. Mjetet në vlerë 100.000 dinarë i kemi kthyer, meqë nuk kemi dashur t’u japim legjitimitet veprimeve të paligjshme gjatë zbatimit të konkursit”, ka thënë drejtoresha e TV Forum, Mileva Malešić.

Analiza e zbatimit të konkursit tregon se në komision kryesisht zgjidhen anëtarët e njëjtë që vijnë nga asociacionet e panjohura për publikun e gjerë dhe atë medial, e të cilat Svetozar Raković nga NUNS-i quan “të dëgjueshmit”.

“Këto komisione ekspertësh kanë një detyrë, ato marrin vendime dhe i vlerësojnë projektet mediale dhe askush s’do të duhej të guxonte t’i ndryshonte vendimet e tyre, as kryetari i komunës, as prefekti, askush nga mjedisi që e ka shpallur konkursin, për këtë arsye zgjidhen të dëgjueshmit, atyre u jepen listat e gatshme të cilat i verifikojnë me nënshkrimet e tyre, që është një ndërmarrje e organizuar kriminale,” thotë Svetozar Raković.

Tanja Maksić nga BIRN thekson se në punën e komisioneve janë vërejtur dy probleme kyçe.

“Një rreth i problemeve është në fakt transparenca. Nuk mund t’i hyni në gjurmë se si i morën vendimet këto komisione, pse mjetet u janë ndarë mu mediave të caktuara, a i kanë arsyetuar ato media ato para, a kanë prodhuar përmbajtje për të cilat janë zotuar. Vistri tjetër i problemeve është se si zgjidhen ato komisione. Nuk ekziston kurrfarë kriteri apo matësi në bazë të cilit mund të thuhet se filani është ekspert medial dhe se mund të vendos mbi projektet, e tjetri nuk është. Ky është thjesht një vendim diskrecional i atyre që e shpallin konkursin, e pastaj këto komisione janë vendi kryesor i korrupsionit, por ju nuk keni kurrfarë baze ligjore që të thuani se aty është shkelur ligji”, përfundon Tanja Maksić.

Është sidomos interesant fakti se ligji nuk parasheh kurrfarë dënimi për keqpërdorimet që mund të zbulohen. Mediat e pakënaqura vetëm mund të inicojnë një kontest administrativ, për zgjidhjen e të cilit pritet mesatarisht një vit, atëherë kur konkursi tashmë ka kaluar e mjetet janë ndarë.

KOMENTARI

Broj komentara : 0

Vaše ime*


Vaš e-mail


Vaš komentar*



otkucano 0 od ukupno 1500 karaktera.