AAA

SU-PRO-MEDIA | 28.04.2018 09:33

Vendi i lajmeve të rrejshme


Informata “Flamuri shqiptar i vendosur në kalimin kufitar Bogorodicë” është botuar së bashku me fotografinë e bërë, kinse, në pikëkalimin kufitar Bogorodicë, në kufirin maqedono-grek, ku është paraqitur tabela kufitare me flamurin shqiptar të ngjitur për të. Në këtë lajm theksohet se në hyrje në Maqedoni, nga ana greke, stema shtetërore e Maqedonisë është mbuluar me flamurin shqiptar. Lajmin e kanë botuar disa internet portale, pastaj në faqet e tyre të internetit edhe disa media tradicionale. Megjithatë, disa orë më vonë erdhi demanti i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë ku thuhet:

    “Plotësisht janë të pasakta dhe të pavërteta informatat dhe foto montazhi në disa web portale se në pikën kufitare Bogorodicë është vendosur flamuri i Shqipërisë. Një rast i tillë nuk është paraqitur në MPB. Menjëherë pas publikimit të këtyre informatave të pavërteta është kontrolluar vendi i apostrofuar në pikëkalimin kufitar Bogorodicë dhe është konstatuar se një rast i tillë nuk ekziston”.

Lajmi i rrjejshëm për flamurin shqiptar në kufirin maqedono-grek është botuar në një moment shumë të ndjeshëm për Maqedoninë multietnike. Vetëm disa ditë më herët në parlament ishte votuar Ligji mbi gjuhët me të cilin zgjerohet përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet maqedonase në tërë territorin e vendit, që I dha flake shtesë nacionalizmit maqedonas.

    “Lajmet e rrejshme fillojnë të dominojnë gjithnjë e më shumë mbi lajmet profesionalisht të përpunuara. Në këtë dukuri, sikur edhe në krijimin e kritereve dhe vlerave të një shoqërie, drejtpërdrejt po ndikojnë shumë faktorë. Edhe njëra edhe tjetra i kontribuojnë hapjes së një hapësire për ‘fake news’”, thotë drejtori i agjencisë së lajmeve MIA, Dragan Antonovski.

Lajmet e rrejshme në Maqedoni janë aq të shpeshta sa që në publik është etabluar shprehja – vendi i lajmeve të rrejshme.

Kështu tash së voni në disa portale, madje edhe në një radio të Shkupit, është emetuar lajmi se partneri shqiptar i koalicionit Bashkimit Demokratik për Integrim largohet nga Qeveria e Maqedonisë. Problemi qëndron në faktin se ky lajm ishte i vërtetë, por para tre vjetësh, gjegjësisht më 2015.

Deputetiti i BDI-së, Artan Grubi, i cili atëbotë e kishte kumtuar lajmin mbi largimin e ministrave të kësaj partie nga qeveria, kishte reaguar në profilin e tij në Facebook për shkak të lajmit që ishte emetuar sërish në mars të këtij viti, pa kurrfarë nxitjeje me komentin: “Shkaku i mosdijes dhe gazetarisë ‘pshty-posto’ deklarata ime nga viti 2015 sot bëhet lajm i rrejshëm”.

Aleksandra Temenugova nga Instituti për Studime të Komunikimit, është e mendimit se zhvillimi i shpejtë i mediave të reja krijon një terren të plleshëm për shumëzimin e lajmeve të rrejshme.

    “Informatat merren në ‘kohë zero’ por ndoshta mungon mjeti qenësor për mediat – vërtetimi i informatës, në mënyrë që të publikohet informata e saktë dhe e vërtetuar”, thotë ajo.

Temenugova bën dallimin mes lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave, por thotë se qëllimi përfundimtar edhe i njerës edhe i tjetrës është që të prezantohen në publik për të shkaktuar dëm apo për të realizuar profit. Burimet e plasimit të këtyre informatave shpesh gjendet në qarqet politike apo të bizneseve të të fuqishmëve, të cilët, sipas një rregulli, kanë edhe levërdi më të madhe nga to.

    “Asgjë nuk ndryshon prej nga më herët, qoftë kur është fjala për qendrat e fuqishme të biznesit apo qendrat e fuqisë politike. Dallon vetëm forma, gjegjësisht paketimi në të cilin arrijnë këto lajme deri tek ne”, thotë Temenugova.

Drejtori i agjencisë MIA Antonovski është edhe më i ashpër. Thotë se politikanët dhe biznesmenët e kanë kidnapuar gazetarinë dhe se tani e keqpërdorin për nevojat e tyre. Fituresit më të mëdhenj, megjithatë, janë politikanët.

    “Elitat politike, kryesisht, meqë manipulimi me ‘spin’, krijimi i njëfarë klime, ambienti politik, është në levërdi të atyre që luftojnë për pushtet dhe askujt tjetër. Të gjithë të tjerët janë ‘looser-ë’”, konsideron kryeredaktori i MIA-s.

Vërshimi i lajmeve të rrejshme, së paku tash për tash, është i paparashikueshëm, meqë janë varrosur standardet profesionale, shpjegon Antonovski.

    “Mendoj se kemi standarde të ulëta profesionale. Ka shumë media që nuk investojnë në edukimin, profesionalizimin, në të rinjtë që do të punojnë sipas standardeve. Në këtë moment nga të gjitha mediat që i kemi mund të krijohet një medium i vetëm profesional”, thotë Antonoski.

    “Të gjitha këto dukuri përcjellëse që po na ndodhin sot ndoshta duhet të na kthejnë prapa në orët e para në të cilat studentëve u mësonim bazat e gazetarisë. Cilat janë parimet bazë sipas të cilave funksionon gazetaria: informata e vërtetuar, e saktë, e shpejtë, e drejtë”, thotë Temenugova.

Krahas kësaj sigurisht është i nevojshëm edhe edukimi medial i publikut në mënyrë që të njohë lajmin e rrjeshëm. Duhet zhvilluar edhe zgjidhje sistemore për një edukimin masovik medial në arsimin fillor dhe të mesëm, sidomos duke pasur parasysh ndikimin e internetit dhe rrjeteve sociale në brezat e rinj që njihen si “milenium” gjenerata.

Duket se mu raporti i tinejxherëve ndaj lajmeve të rrejshme ndryshon dhe se ata në tërësi e kanë kuptuar fuqinë e rrjeteve sociale. Globalisht, duket se levërdi më të madhe nga lajmet e rrjeshme nga Maqedonia ka pasur presidenti aktual i SHBA-ve, Donald Trump. Në kohën e fushatës së tij presidenciale zgjedhore më 2016, në Veles janë krijuar gati 140 internet faqe në të cilat pubikoheshin lajmet e rrjeshme. Fjala është për lajmet e trilluara, senzacionaliste në favor të Trump-it, e të cilat i plasonin tinejxherët maqedonas nëpërmjet rrjeteve sociale, më së shpeshti përmes Facebook-ut. Për këtë kanë shkruar mediat e jashtme, e gazetarët maqedonas që e kanë hulumtuar këtë tregim nuk janë shumë të gatshëm të flasin për këtë para kamerave.

Themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckeberg në një intervistë për CNN ka konfirmuar se edhe vjet, në kohën e zgjedhjeve lokale në SHBA-ve, sërish janë detektuar profilet e rrejshme me “fake news”, që buronin nga Maqedonia.

    “Më 2017, në kohën e zgjedhjeve speciale për senat në shtetin Albama, kemi vendosur pajime të reja për detektimin e shfrytëzueve të rrejshëm që tentojnë t’i përhapin lajmet e rrejshme. Kemi zbuluar se shumë shfrytëzues të rrejshëm vijnë nga Maqedonia”, ka thënë Zuckeberg.

Se sa serioz është problemi me lajmet e rrejshme tregon edhe raporti i grupit të ekspertëve të Komisionit Evropian nga marsi i këtij viti, që përmban rekomandime dhe këshilla për luftë kundër lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave që përhapen onlajn. Gjatë proceseve të saj integruese, Maqedonia do të duhej, mbase t’i zbatojë këto rekomandime evropiane në rrugëtimin e saj nga një “vend i lajmeve të rrejshme” drejt një “vendi të informatave të vërtetuara”.

KOMENTARI

Broj komentara : 0

Vaše ime*


Vaš e-mail


Vaš komentar*



otkucano 0 od ukupno 1500 karaktera.